Ismail Qemal Bej Vlora Udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit të pavarur shqiptar dhe Kryeministër i parë i Shqipërisë. Lindi në Vlorë, më 24 janar 1844, në një nga familjet më të mëdha dhe të lashta të Shqipërisë së Jugut. Ishte i biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije Libohovës, vdiq në Itali nga një atentat me helm më 24 janar të vitit 1919. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin "Zosimea" në Janinë, më 1860 u vendos me familjen e tij në Stamboll, ku u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Në Perandorinë Osmane pati funksione të rëndësishme administrative dhe u shqua shumë shpejt si personalitet me pikëpamje liberale. Postet e tij i përdori jo vetëm për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare të bashkatdhetarëve, par edhe për të lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë të popujve të shtypur të perandorisë duke luftuar kundër obskurantizmit e dallimit racor dhe duke përkrahur përhapjen e kulturës e të dijeve shkencore. Kërkesat e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave demokratike e çuan në konflikt me rrethet konservatore të Stambollit. U dënua nga Porta e Lartë me internim, të cilin e vuajti për 7 vjet. Në maj të 1900, për t'u shpëtuar ndjekjeve të Sulltanit, u arratis nga Stambolli dhe qëndroi në vise të ndryshme të Evropës, ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Platforma politike e Ismail Qemalit. në përgjithësi përputhej me atë të ideologëve të tjerë të Rilindjes, por me disa veçori në lidhje me rrugët e mjetet për sigurimin e autonomisë. Në këtë etapë të veprimtarisë së tij ai mendonte të vazhdohej rruga reformiste për sigurimin e autonomisë nga lart, i shqetësuar se mos kryengritjet i jepnin shkas ndërhyrjes së huaj.