KRYENGRITJA NË MALËSINË E MBISHKODRËS(1911)
1. SHPËRTHIMI I KRYENGRITJES DHE VEPRIMET LUFTARAKE (MARS – FILLIMI I QERSHORIT 1911)
Përgatitja e kryengritjes
Kryengritja e Kosovës tregoi edhe një herë nevojën e bashkimit të të gjitha forcave të vendit në luftën kundër sundimtarëve osmanë. Drejt këtij bashkimi i shtynë shqiptarët edhe veprimet shtypëse të qeverisë së Stambollit. Çarmatimi i përgjithshëm ishte një nga masat më të rënda që morën autoritetet xhonturke në vitin 1910 e që la mbresë të thellë te shqiptarët, sepse u hoqi atyre mjetet për të kundërshtuar politikën shtypëse e arbitrare të qeveritarëve xhonturq dhe për të mbrojtur vendin nga synimet grabitqare të shteteve fqinje.
Por edhe në këto rrethana shumë malësorë nuk pranuan t’u nënshtroheshin urdhëresave qeveritare. Grupe të shumta luftëtarësh vijuan qëndresën edhe pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1910. Megjithatë, përballë forcave të mëdha osmane, një pjesë e mirë e kryengritësve u detyrua të kalonte në Mal të Zi. Midis tyre qenë edhe Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Sulejman Batusha, Isa Boletini, Hasan Budakova, Mirash Ndou e të tjerë. Sipas deklaratave të qeverisë malazeze, në territorin e saj ndodheshin më 1910 rreth 800 familje shqiptare të arratisura me afër 3 000 veta, ndërsa në Serbi u strehuan vetëm disa prej tyre.
Qeveria malazeze, duke shprehur shqetësimin për mundësinë e një sulmi të malësorëve kundër trupave turke nga territori i Malit të Zi, i largoi refugjatët shqiptarë në Nikshiq e në Danillovgrad.
Ndërkohë rrethet atdhetare, brenda e jashtë vendit, bënë thirrje për një kryengritje të re, gjatë së cilës do të kërkohej autonomia e Shqipërisë. Ky program u shpalos sidomos në shtypin e kolonive, në thirrjet e shoqërive dhe të komiteteve shqiptare. Në të gjitha këto kërkohej amnistia e përgjithshme për luftëtarët e vitit 1910, liri e plotë për zhvillimin e gjuhës shqipe me alfabetin latin, krijimi i një administrate me nëpunës shqiptarë dhe përdorimi i një pjese të mirë të të ardhurave të vendit për zhvillimin ekonomik e kulturor të Shqipërisë.
Kryengritja e re filloi të përgatitej sipas këtij progami të përbashkët autonomist. Një nga detyrat kryesore, ashtu si më parë, ishte formimi brenda vendit i një qendre të vetme drejtuese për gjithë lëvizjen kombëtare. Një qendër e tillë e përbashkët nuk ekzistonte as edhe jashtë vendit, ku kishte kushte më të favorshme për organizimin e lëvizjes. Krijimi i komiteteve jashtë Perandorisë ishte i dobishëm, sepse do të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik dhe të qeverive të Fuqive të Mëdha rreth kërkesave e aspiratave të popullit shqiptar, do t’u jepte mundësi organizatave shqiptare të siguronin të holla për të blerë armët e nevojshme. Vendet më të përshtatshme për organizimin e rretheve atdhetare radikale mund të ishin ato fqinje që ndodheshin më afër Shqipërisë, siç qenë shtetet ballkanike dhe Italia.
Në këto rrethana, me nismën e Nikollë Ivanajt, u krijua në Bari një komitet i kryengritjes, i cili u orvat të vendoste lidhje me kolonitë e mërgimit dhe me komitetet e fshehta brenda vendit.
Gjatë dimrit të 1910-1911-s në Italinë fqinje, me nxitjen e rretheve atdhetare shqiptare dhe arbëreshe, u zgjerua lëvizja në të mirë të luftës së popullit shqiptar. Në janar të vitit 1911 u formua në Itali Komiteti “Pro Albania”, rreth të cilit u bashkuan republikanë, socialistë, demokratë dhe elementë të tjerë përparimtarë. Midis tyre kishte edhe 60 deputetë. Komiteti filloi ta shtrijë veprimtarinë e tij me anën e nënkomiteteve në vise të ndryshme të Gadishullit Apenin, duke synuar të mblidhte ndihma në të holla dhe të regjistronte vullnetarë për kryengritjen shqiptare.
Çështja shqiptare u përkrah veçanërisht nga kolonitë arbëreshe, që zhvilluan një veprimtari të gjerë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Edhe mjaft të rinj italianë e të vendeve të tjera, studentë e punëtorë, shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në ekspeditën e vullnetarëve, të cilën mendohej se do ta drejtonte i biri i Xhuzepe Garibaldit, Riçioti Garibaldi (Ricciotti Garibaldi).
Atdhetarët shqiptarë punonin për të siguruar përkrahjen e qeverisë italiane. Por qarqet qeveritare italiane mbajtën një qëndrim tjetër nga ai i popullit italian. Italia po përgatitej atëherë për luftën për të pushtuar Tripolin. Në këto rrethana Roma nuk ishte e interesuar të ndërhynte në Shqipëri, sepse kjo do të shkaktonte kundërveprimin e rivales së saj, të Austro-Hungarisë. Në shkurt të vitit 1911 qeveria italiane e ndaloi ekspeditën e vullnetarëve dhe mori masa për të penguar çdo ndihmë, që mund t’u jepej kryengritësve shqiptarë nga Italia.
Në këto rrethana Riçioti Garibaldi deklaroi se hiqte dorë nga ekspedita e propaganduar me aq bujë, “meqë (ajo - shën. i aut.) dëmton interesat diplomatikë të Italisë”.
Qeveria austro-hungareze, e shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri, vijonte të kërkonte nga Porta e Lartë që të ndiqte një politikë të urtë në Ballkan dhe t’u bënte lëshime shqiptarëve. Në të njëjtën kohë Vjena ushtronte trysni ndaj shqiptarëve që të mos hidheshin në kryengritje.
Përgatitja e kryengritjes në Shqipërinë e Veriut shqetësoi edhe shtetet ballkanike, sepse përmbushja e kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare binte ndesh me synimet e tyre aneksioniste ndaj tokave shqiptare. Përveç Malit të Zi, i cili ngutej të përfitonte nga kryengritja për të shpërthyer luftën me Turqinë, shtetet e tjera të Ballkanit, nuk e ndienin veten të përgatitur për veprime të armatosura kundër Perandorisë Osmane.
Në shkurt të vitit 1911 Mali i Zi iu drejtua Serbisë për të përcaktuar qëndrimin e të dyja shteteve ndaj një kryengritjeje të mundshme shqiptare. Por qeveria serbe e quajti të parakohshëm një veprim të tillë.
Komitetet e fshehta shqiptare mendonin ta fillonin kryengritjen në pranverën e vitit 1911, pasi të bëheshin të gjitha përgatitjet e nevojshme. Komiteti i Manastirit udhëzonte atëherë komitetet e tjera që të formonin çeta prej 50 vetash. Përpjekje të shumta po bëheshin për të futur armë në Shqipëri.
Ndërkohë numri i refugjatëve në Mal të Zi nga Kosova, nga Malësia e Mbishkodrës dhe nga vetë qyteti i Shkodrës, sipas njoftimeve nga Cetina, arriti mbi 7 000 veta. Shumica e tyre qenë strehuar në Podgoricë, në Ulqin, në Nikshiq e në vende të tjera. Midis malësorëve të arratisur ishin rreth 400 veta nga Kastrati, të prirë nga vojvoda Zenel Shabani, 400 të tjerë nga Hoti me Dedë Gjo Lulin në krye, 800 nga Shkreli të kryesuar nga vojvoda Prend Marashi, dhe 400 të tjerë nga Gruda me bajraktarin Dedë Nikaj në krye. Përveç këtyre ishin edhe 1 200 refugjatë nga Kelmendi, nga Selca dhe nga Postriba.
Emigrantët e përqendruar në Mal të Zi organizuan Komitetin e tyre në Podgoricë, i cili merrej me mbledhjen e ndihmave, por edhe me organizimin e kryengritjes. Në fund të muajit janar dhe në fillim të shkurtit 1911 Komiteti organizoi një miting, në të cilin u shpreh vendosmëria e shqiptarëve për vazhdimin e luftës kundër sundimit osman dhe për përgatitjen e kryengritjes së re në pranverë. Në rezolutën që u miratua në këtë tubim, theksohej se refugjatët e strehuar në Mal të Zi do të largoheshin prej andej vetëm kur Porta e Lartë të plotësonte kërkesat e parashtruara nga shqiptarët në Kongresin e Dytë të Manastirit, kur t’u ktheheshin armët malësorëve, kur të përjashtoheshin shqiptarët nga shërbimi ushtarak dhe të liroheshin të burgosurit e dënuar për faje politike.
Një punë të madhe bëri Komiteti për sigurimin e armëve dhe të municioneve. Ai u bë qendër, ku u grumbulluan gjatë kryengritjes atdhetarë nga viset e ndryshme të Shqipërisë, si edhe nga kolonitë e mërgimit. Komiteti u ndihmua edhe nga atdhetarët që ndodheshin në Mal të Zi, si Risto Siliqi etj., si edhe nga Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi etj. që shkuan më pas në Podgoricë.
Përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare bënë përpjekje për të siguruar përkrahjen e qeverive të shteteve fqinje dhe sidomos të Serbisë e të Bullgarisë. Por si Bullgaria, ashtu edhe Serbia, nëpërmjet përfaqësuesve të vet diplomatikë në Romë, u kumtuan përfaqësuesve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare se, derisa nuk do të cenoheshin interesat e tyre shtetërorë dhe kombëtarë, ato do të vijonin t’i përmbaheshin neutralitetit të plotë.
Në këto rrethana Komiteti i Podgoricës u përpoq të shfrytëzonte ndihmën e qeverisë malazeze, por pa rënë në kurthin e politikës së saj grabitqare ndaj tokave shqiptare. Por kjo nuk ishte e lehtë të arrihej. Prandaj në krye të Komitetit, për arsye taktike, ishte vënë atëherë Sokol Baci, i njohur si njeri i krajl Nikollës.
Qeveria e Malit të Zi mori të gjitha masat që kryengritja të mos fitonte karakter kombëtar, por të kufizohej në caqet lokale. Kjo do t’i jepte mundësi krajl Nikollës të ndërhynte më lehtë e ta përdorte atë për interesat e vet. Përveç kësaj ai punoi që kryengritja të fillonte para kohe. Në shkurt qeveria e Malit të Zi njoftoi Portën e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha se nuk do t’i mbante malësorët më gjatë se 28 marsi i vitit 1911.
Ndërkaq, Isa Boletini, në një takim që pati me krajl Nikollën, hodhi poshtë propozimin e tij që veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin nga trupat malazeze. Po kështu veproi dhe Dedë Gjo Luli.
Komiteti i Podgoricës, për shkak të pengesave që i nxori qeveria e Malit të Zi, nuk arriti të bashkërendonte veprimet e tij me krahinat e tjera të Shqipërisë. Lidhje të tilla nuk arritën të vendoseshin as edhe me qytetarët e Shkodrës, takimi me të cilët ishte lënë të bëhej në Cetinë më 4 prill ku do të lidhej besa. Ndërkaq, Mali i Zi, duke synuar t’i nënshtronte me anë të urisë, më 14 mars ua preu ndihmat malësorëve. Në këto rrethana malësorëve të arratisur iu desh ta fillonin kryengritjen para se të lidhej besa me shkodranët, ndërsa vendosja e bashkëpunimit me viset e tjera qe pothuajse e pamundur.
Shpërthimi i kryengritjes dhe veprimet luftarake (mars – fillimi i qershorit 1911)
Kryengritja filloi më 24 mars të vitit 1911 kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, nga Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë, filluan veprimet e armatosura dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat.
Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdornin si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet shqiptarëve myslimanë e katolikë. Në të njëjtën kohë xhonturqit hapën fjalë në të katër anët, se malësorët kryengritës ishin veglat e krajlit të Malit të Zi, domethënë të një shteti të krishterë. Për të nxitur konfliktin ndërmjet shqiptarëve, autoritetet osmane u shpërndanë myslimanëve të qytetit dhe të rajoneve përreth 4 000 armë. Por popullsia myslimane e priti me shpërfillje këtë propagandë. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që morën armë luftuan kundër malësorëve. Edhe këta nuk i shqetësonte përkatësia fetare e Malit të Zi, por synimet e tij tashmë të njohura ndaj trevave shqiptare dhe vetë qytetit të Shkodrës.
Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh në 3 000 veta. Më 28 mars kryengritësit morën qytezën e Tuzit. Garnizoni i vogël ushtarak dhe qeveritarët u detyruan të mbylleshin në kalanë e quajtur Shipshanik, që ndodhej në krye të saj. Më 30 mars 400 malësorë sulmuan Koplikun, por u tërhoqën për mungesë armësh e municionesh.
Më 30 mars u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë.
Më 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit deri në Kastrat. Por luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë pranë Deçiqit, ku u asgjësuan 30 ushtarë, ndërsa nga kryengritësit mbetën në fushën e luftës shtatë veta, midis të cilëve ishte edhe prijësi i tyre, Nish Gjelosh Luli.
Më 8 prill 200 malësorë u bënë ballë në afërsi të Kastratit për gjashtë orë rresht 1 200 forcave xhonturke, të cilat pas tërheqjes së kryengritësve plaçkitën dhe dogjën Bajzën e Kastratit.
Me qëllim që t’i fuste shqiptarët në mes dy zjarresh, komanda e ushtrisë osmane dërgoi nga Gjakova katër batalione nën drejtimin e Ethem Pashës. Kur po vinte nga Gucia, natën e 16 prillit, ushtria osmane u sulmua te Hani i Gropës nga banorët e Selcës. Ajo nuk arriti të vazhdonte marshimin drejt teatrit kryesor të luftimeve përreth Tuzit.
Për tri javë rresht xhonturqit nuk mundën jo vetëm t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe të përforcoheshin në Deçiq.
Fillimi i parakohshëm i kryengritjes në Veri, që ndodhi për shkak të presioneve të qeverisë malazeze, pengoi përhapjen e saj të menjëhershme në viset e tjera më të afërme. Kryengritja e malësorëve i gjeti këto pjesë të vendit ende të papërgatitura dhe të paorganizuara për veprime të armatosura të përbashkëta. Trevat veriore të vendit, sidomos Kosova, Mirdita e krahinat e tjera, ishin të çarmatosura nga ekspedita e vitit 1910. Megjithatë, Isa Boletini dhe Sulejman Batusha nuk hoqën dorë nga përpjekjet për zgjerimin e kryengritjes në viset e Rrafshit të Dukagjinit.
Në këto rrethana kryengritësit e Veriut iu drejtuan shqiptarëve të Jugut duke u bërë thirrje që të bashkoheshin me ta. Më 15 prill 1911 përfaqësues të Kosovës çuan në viset jugore thirrjen që Isa Boletini e kishte lëshuar disa kohë më parë (më 23 mars) nga malet e Shqipërisë, në të cilën thuhej: “... Na i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nuk kemi frikë qoftë dhe sikur qeveria të dërgonte të gjitha ushtritë e saj... Ju duhet sa më shpejt që të jetë e mundun të dërgoni njerëz dhe të përgatitni popullin ... Na nuk duhet ta humbim rasën e favorshme që kemi sot”.
Kryengritja e Veriut vuri në lëvizje edhe përkrahësit e veprimeve të armatosura në jug të vendit. U krijuan komitete të reja, si “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, që dërguan përfaqësuesit e tyre në Kosovë. Në Kolonjë u mbajt një mbledhje e udhëheqësve të lëvizjes, ku morën pjesë edhe emisarët kosovarë që sollën letrën e Isa Boletinit. Këtu u vendos të shpejtohej organizimi i çetave dhe në fillim të qershorit të niste kryengritja edhe në jug të vendit.
Përkrahësit e veprimeve kryengritëse iu drejtuan popullit me këto fjalë: “Vëllezërit tanë, gegët, po na ftojnë ne të bijt e Pirros, që t’u vijmë në ndihmë, e prandaj çdo shqiptar e ka detyrë të marrë hutën në krah e të bashkohet me kryengritësit e të mos lëmë të na turpërohet “Baba Tomori” i shenjtëruar që po buçet. Duam, pra, lirinë dhe vetëqeverisjen e Shqipërisë, duam të drejtat tona dhe do t’i kërkojmë gjersa të shuhemi të gjithë”.
Në vilajetin e Janinës, në rajonet e Korçës, të Elbasanit, të Dibrës dhe të Ohrit komitetet e fshehta filluan të shpërndanin armë dhe të organizonin çeta. Më 16 prill u organizua në Manastirin e Cepos një mbledhje me krerët e kryengritësve të Gjirokastrës, të Delvinës dhe të viseve të tjera të Shqipërisë së Jugut, të cilët u betuan për t’u ngritur në luftë të armatosur kundër Perandorisë Osmane.
Mirëpo, për shkak të qëndrimit pritës të elementëve të moderuar e të lëkundshëm dhe të trysnisë së faktorëve të jashtëm, Komiteti i Manastirit i shtyti përgatitjet për kryengritje në një kohë të pacaktuar, por gjithnjë brenda vitit 1911.
Më 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet Turgut pasha me tetë batalione, 5 000 ushtarë, dy bateri malore, një divizion mitralier, 800 kuaj, 10 000 pushkë dhe materiale të shumta luftarake. Në të njëjtën kohë 20 000 ushtarë të tjerë po mobilizoheshin në Anadoll, përveç batalioneve të rezervistëve që do të rekrutoheshin në Rumeli, në Turqinë Evropiane. Me Shefqet Turgut pashën erdhi edhe Preng Bibë Doda, i thirrur nga Vjena prej xhonturqve për të qetësuar Mirditën dhe për të penguar bashkimin e saj me kryengritjen.
Ushtritë osmane me rrugë detare erdhën e zbarkuan në Shkodër më 18 prill. Mbërritja e forcave të reja osmane nuk i ndali sulmet e kryengritësve, në radhët e të cilëve luftonin edhe atdhetarë të tillë, si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi e të tjerë. Më 22 prill dështoi kundërsulmi që forcat xhonturke ndërmorën nga ana e Shipshanikut dhe e Deçiqit.
Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht, kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç se në rast lufte.
Ndërkaq, përpjekjet luftarake u bënë më të shpeshta dhe më të rrepta. Më 3 maj u zhvillua një nga përleshjet më të mëdha të kryengritësve me forcat osmane, pas së cilës u hap rruga për në qendrën e vilajetit, në Shkodër. Luigj Gurakuqi shkruante ato ditë se “do të kishim marrë Shkodrën, po të kishim pasë armë”.
Ngjarjet e Kryengritjes shqiptare të vitit 1911 patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Me kryengritësit u bashkuan, sado të paktë, edhe vullnetarë nga Italia e Bullgaria. Shtypi i huaj shkruante për trimërinë e grave shqiptare, për “amazonat shqiptare”, të cilat, krahas burrave, prindërve dhe vëllezërve të tyre, luftonin kundër pushtuesve osmanë.
Një veprimtari të gjerë në të mirë të kryengritjes zhvilloi brenda vendit “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Ajo punoi për mbledhjen e ndihmave për kryengritësit e Veriut në emër të Lidhjes “Për Liri o për Vdekje”.
Në kolonitë e mërgimit në Amerikë, në Bullgari, në Rumani, në Egjipt (Misir) etj., mbaheshin konferenca për Shqipërinë dhe për luftën e shqiptarëve kundër sunduesve osmanë. Shqiptarët e Amerikës mblodhën për kryengritësit një shumë të madhe të hollash. U vendos që 30 vullnetarë të shkonin nga Amerika në Shqipërinë e Jugut (Toskëri) për të shtrirë edhe atje kryengritjen. Fan S. Noli dhe atdhetarë të tjerë u përpoqën të siguronin përkrahjen e Greqisë, por Athina përsëri, ashtu si më parë, këmbënguli që kryengritja shqiptare të zhvillohej vetëm në veri të lumit Shkumbin.
Gjatë muajit maj patriotët shqiptarë të grumbulluar në Korfuz, si Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji, Ismail Qemali, Pandeli Cale, Stefan Kondillari, Spiro Bellkameni e të tjerë, krijuan një degë të komitetit shqiptar të Barit. Ndërkaq u shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, ku po punohej për sigurimin e armëve.
Më 9 maj Shefqet Turgut pasha në përgjigje të proklamatës së kryengritësve të datës 1 maj 1911, publikoi shpalljen, ku thuhej se udhëheqësit e kryengritjes do t’i jepeshin gjyqit ushtarak, ndërsa ata që do të dorëzoheshin brenda pesë ditëve, duke dhënë armët e duke iu nënshtruar ligjeve e urdhrave të qeverisë, do të përfitonin nga mëshira e saj. Në shpallje thuhej se, po të qëllohej kundër ushtarëve, do të dënohej së bashku me fajtorin edhe pleqësia e katundit. Urdhërohej që frëngjitë e kullave të malësorëve të hapeshin një kut të gjëra e të gjata ose të mbylleshin krejt.
Shpallja ra në duart e kryengritësve më 11 maj, ditën e vendosjes së shtetrrethimit dhe të krijimit të gjykatës ushtarake në Shkodër. Shefqet Turgut pasha kishte kohë që po merrte masat shtypëse, internonte familjet e pjesëmarrësve të kryengritjes dhe të atyre që dyshoheshin se kishin ndihmuar kryengritjen (pika 8 e shpalljes).
Kryengritësit iu përgjigjën thirrjes së Shefqet Turgut pashës me një deklaratë që u miratua në mbledhjen e mbajtur në Pikalë, të nënshkruar nga 60 udhëheqës të tyre, e cila iu dorëzua konsujve të huaj në Cetinë. Në këtë dokument thuhej se qysh nga dita kur ushtritë osmane kanë rrënuar e djegur shtëpitë e malësorëve shqiptarë, kanë dhunuar nderin e shqiptarit dhe kanë mbytur fëmijët, ata vendosën “me qëndrue derisa t’u jesi ma e mbramja pikë e gjakut ndër dej” dhe e “grishnin” gjeneralin turk “me dalë në lamë të luftës”.
Pa pritur të mbaronte ende afati i armëpushimit të caktuar në shpalljen e tij, Shefqet Turgut pasha më 14 maj goditi befasisht malësorët. Ushtria osmane prej 6 000 vetash, e pajisur me artileri e mitraloza, u hodh sërish mbi Deçiq. “Forcat morën këto pozita, - shkruante konsulli austriak në Shkodër, - duke i dëbuar rrebelët pllambë për pllambë”.
Pas këtij operacioni turqit mundën të forcoheshin në vijën Tuz-Deçiq-Kastrat, ku vendosën 6 000 ushtarë në drejtim të Shipshanikut dhe 5 000 të tjerë nga ana e Koplikut. Nga ana e Gucisë vijonte të ushtronte presion mbi kryengritësit në drejtim të Selcës një forcë e komanduar nga Ethem Pasha, e cila kishte arritur në 8 batalione. Ajo i mbajti të ngujuara forcat kryengritëse të Kelmendit pa arritur të bëjë asnjë hap përpara u detyrua të kthehej në Guci.
Përballë këtyre forcave osmane, pa llogaritur trupat e shumta të dislokuara në Fushë të Shtojit pranë Shkodrës, qëndronin vetëm 2 000 kryengritës shqiptarë, të përqendruar në mes të Dinoshës dhe Tuzit.
Shefqet Turgut pasha, duke përdorur artilerinë, shkatërroi të gjitha katundet që bënë qëndresë. Ushtria osmane nuk kurseu as malësorët myslimanë. Për t’u shpëtuar mizorive xhonturke, shumë familje malësore, gra, fëmijë e pleq, vazhdonin të kalonin në Mal të Zi.
Ndërkaq zhvilloheshin luftimet në Shqipërinë e Veriut. Më 3 qershor 350 malësorë sulmuan Lezhën dhe e detyruan garnizonin osman të mbyllej në Atik-Kala. Midis mirditasve, që morën pjesë në këtë sulm, kishte edhe shqiptarë myslimanë nga Mati, nga Luma, nga Dibra, madje edhe nga Kosova. Kryengritësit prenë komunikimet tokësore e telegrafike midis Lezhës, Shkodrës dhe Shëngjinit.
Por pas ndihmave që ushtrisë osmane filluan t’i vinin nga Shëngjini, kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin nga Lezha.
Zgjerimi i kryengritjes shkaktoi reagimin e qarqeve politike të Shteteve të Mëdha. Synimi i qeverisë malazeze për t’u përfshirë drejtpërsëdrejti në aksionet luftarake të malësorëve kryengritës nuk gjeti miratimin jo vetëm në Serbi, por as në Rusi. Qeveria cariste e kërcënoi Cetinën se do t’i ndërpriste subvencionet që i jepte Malit të Zi, në rast se ndihmonte kryengritjen.
Qeveria austro-hungareze, e shqetësuar nga mundësia e një ndërhyrjeje të Malit të Zi në konfliktin shqiptaro-osman, ushtroi trysni mbi Cetinën duke kërkuar që ajo të qëndronte asnjanëse. Vjena bëri të gjitha përpjekjet që kryengritja të mos përhapej në viset e tjera.
Për të penguar sadopak zgjerimin e kryengritjes së malësorëve në krahina të tjera të Shqipërisë, Komiteti “Ittihad ve Terekki” (“Bashkim e Përparim”) organizoi udhëtimin e sulltanit plak, Mehmet Reshati V, në Kosovë. Mendohej se ky udhëtim i sulltanit do ta lehtësonte “kthimin në vathë” të atyre, që ishin larguar nga “vëllazërimi osman”.
Udhëtimi u organizua në formën e pelegrinazhit në varrin e sulltan Muratit I, të vrarë në Fushë të Kosovës. Sulltani udhëtoi vetëm në krahinën e Kosovës për ta veçuar këtë trevë nga kryengritja shqiptare në Malësi të Mbishkodrës. Më 15 qershor ai mbërriti në Prishtinë, ku u organizua një paradë e madhe ushtarake, por nuk u mblodhën aq njerëz sa pritnin xhonturqit. Nga frika se ceremonia në Gazimestan (në tyrben e sulltan Muratit) mund të kthehej në një manifestim kundërosman, ajo u mbyll shpejt me largimin prej andej të sulltanit dhe të personaliteteve që e shoqëronin. Kjo ndërmarrje e xhonturqve, siç pohojnë bashkëkohësit, s’qe veçse një komedi e inskenuar keq.
Ndërkohë lëvizja kryengritëse filloi të zgjerohej edhe në jug të vendit. Në qershor doli në mal çeta e Korçës (me dr. Haki Mborjen në krye) dhe filluan të veprojnë edhe çeta të tjera. Shtrirja e lëvizjes së armatosur në jug e shqetësoi Athinën. Gazeta ruse “Ruskoje sllovo”, në një korrespondencë nga Athina shkruante: “Shtypi grek, i cili gjer më dje dëftente simpathi për kryengritjen shqiptare, sot nga që u hap kryengritja dhe në Epir, e quan veprimin e komitetit të shqiptarëve dinak, se kërkon mjeshtërisht ta quaj atë provincë, që është fjeshtë greke, të shqiptarizuar”.
Më 17 qershor Shefqet Turgut pasha në emër të sulltanit shpalli edhe një herë amnistinë për kryengritësit që duhej të dorëzoheshin brenda 10 ditëve, duke premtuar gjithashtu 10 000 lira për shtëpitë e djegura. Në shpalljen që nxori me këtë rast thuhej se qeveria turke do të kujdesej për nevojat e vendit, për të shlyer dëmet që u ishin bërë kohët e fundit shqiptarëve, si edhe për të siguruar të mirën e qetësinë e popullit. Por në shpallje nuk bëhej fjalë për asnjë nga të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Pas shpalljes së 17 qershorit xhonturqit disa herë u përpoqën të hynin në bisedime me kryengritësit, por dështuan, sepse ndeshën në vendosmërinë e tyre për të luftuar deri në fund për të drejtat e tyre kombëtare.
Duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e kryengritësve të Malësisë së Mbishkodrës ishin katolikë, Stambolli mendoi se njerëz më të përshtatshëm për të hyrë në bisedime me malësorët do të ishin klerikët katolikë. Për këtë Porta e Lartë kërkoi edhe ndihmën e protektores së kultit të Austro-Hungarisë. Arkipeshkvi i Shkodrës, Jak Serreqi, që u ngarkua me detyrën e vështirë të ndërmjetësit në mes shqiptarëve kryengritës dhe Portës, e mori përsipër këtë rol, por me disa kushte. Autoritetet ushtarake e civile turke formuluan programin prej 8 pikash, me të cilin do të hyhej në bisedime me malësorët. Këto ishin shumë larg kërkesave të kryengritësve, të kërkesës së autonomisë së shpallur nga krerët e tyre qysh në muajin mars. Prandaj pikat e propozuara nuk u përfillën nga krerët e kryengritjes. Në këto rrethana misioni i klerikëve, të kryesuar prej Jak Serreqit, që u dërgua pranë malësorëve kryengritës, dështoi.
2. KUVENDI I GREÇËS (23 QERSHOR 1911)
Memorandumi i Greçës
Mbërritjen e komisionit të klerikëve në Mal të Zi dhe përpjekjet e xhonturqve për t’u marrë vesh me ta, kryengritësit e shfrytëzuan për të dalë para qeverisë osmane dhe Fuqive të Mëdha sërish me kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricës), u mblodh në pllajën e Greçës, në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin “Memorandumi i Greçës”, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Këtë dokument, i njohur si “Libri i Kuq” (për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilën u shtyp) ia paraqiti Kuvendit të krerëve të kryengritjes Luigj Gurakuqi.
Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.
Në hyrje të memorandumit (“Librit të Kuq”) flitet për ndihmën që dhanë shqiptarët për të sjellë xhonturqit në fuqi. Disa privilegje që u kishte njohur deri atëherë sulltani autokrat krahinave malore, theksohet në këtë dokument, nuk i penguan shqiptarët të ngriheshin e të kërkonin kushtetutën për të gjithë popujt e shtypur. Por shpresat e tyre te regjimi kushtetues nuk u përligjën. Madje ishin xhonturqit ata që me politikën e tyre i shtynë shqiptarët të rrëmbenin armët e të luftonin për të drejtat e tyre. Shqiptarët, aleatë të xhonturqve, u bënë më e para viktimë e politikës së egër nacionaliste e xhonturqve. Mbi shqiptarët u turrën taborret e Xhavit Pashës dhe të Shefqet Turgut pashës. Por edhe pasi shqiptarët i dhanë armët, theksohej në hyrjen e “Librit të Kuq”, turqit e rinj nuk mendonin aspak t’i zbatonin reformat e premtuara.
Në memorandum parashtroheshin këto kërkesa: t’u jepej garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të njihej kombi shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjesëtim me popullsinë; të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit; të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas; të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga sulltani për një periudhë të caktuar; të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore; shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë; të përdoreshin në vend, për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e të tjera, të ardhurat fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoolit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve; t’u njihej fshatarëve e drejta për prerjen e pyjeve sipas një takse; këshillat e përgjithshme të kishin të drejtë të jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që u ishin marrë.
Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës së shteteve fqinje që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare për ruajtjen e venomeve të vjetra lokale. Pranimi i kërkesave të Greçës, siç pohonte Ismail Qemali, do të ishte një fitore e nacionalizmit shqiptar. Këto kërkesa drejtoheshin njëherazi kundër politikës së qeverisë malazeze, e cila orvatej me anën e agjentëve të saj t’i bindte malësorët të viheshin nën mbrojtjen e Malit të Zi.
Memorandumi ushtroi ndikim të fuqishëm edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë dhe nxiti përpjekjet që u bënë për kthimin e kryengritjes së Veriut në një kryengritje të përgjithshme.
“Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.
Ndërkaq Shefqet Turgut pasha shpalli një proklamatë të dytë, me të cilën shtyhej afati i dorëzimit të kryengritësve edhe 15 ditë të tjera, duke filluar nga 27 qershori. Malësorët lajmëroheshin gjithashtu se Porta kishte dërguar një vali dhe një kajmekam, që dinin gjuhën shqipe. Por më 9 korrik Stambolli u detyrua t’a shtynte për të tretën herë afatin e dorëzimit të kryengritësve edhe për 20 ditë të tjera.
Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të kryengritësve, qeveria osmane nuk kishte ndërmend t’i jepte autonominë Shqipërisë. Ajo e quante këtë të papranueshme, si një akt që do të sillte me vete shkatërrimin e Perandorisë Osmane.
Stambolli vijoi të përdorte kundër malësorëve 50 batalione të komanduara nga Shefqet Turgut pasha, me 70 000 ushtarë e 60 gryka artilerie me qitje të shpejtë. Për të përligjur luftën e gjatë me malësorët dhe këtë përqendrim të forcave të shumta në Shqipëri kundër një grushti malësorësh, propaganda zyrtare turke shpalli se në kryengritje ishin çuar 20 000 malësorë. Në të vërtetë, gjithë familjet e kryengritësve, që ishin mbartur në Mal të Zi për t’i shpëtuar terrorit xhonturk, arrinin në rreth 15 000 veta, ndërsa në radhët e luftëtarëve ishin vetëm 4 000 kryengritës.
Megjithatë, në përpjekjet me kryengritësit, Shefqet Turgut pasha la qindra të vrarë. Ai u detyrua të pranonte, se “... çdo ditë janë bërë përpjekje të ashpra e të vazhdueshme, kryengritësit i kanë dalë zot çdo shkëmbi, çdo shtëpie dhe e kanë lënë vendin vetëm duke dhënë jetën”. Përkrah burrave luftuan edhe gratë malësore, ndër të cilat u dalluan Tringë Smajlja e Norë Kolja. Në luftë merrnin pjesë gjithashtu të rinj 16 vjeçarë dhe pleq deri në 70 vjeç. Vetë udhëheqësi i kryengritësve Dedë Gjo Luli ishte 71 vjeç.
Malësorëve u dha dorë taktika e luftimit në grupe të vogla kundër armikut shumë të madh në numër dhe njohja e terrenit. Ata zinin shtigjet e qafat e pakalueshme. Sulmonin armikun aty ku ai nuk e priste dhe tërhiqeshin në rregull, pa dëme.
Por lufta e kryengritësve vështirësohej nga mungesa e armëve, e municioneve dhe e ushqimeve. Lufëtarët ishin gjysmë të uritur. Ndihmat që vinin nga kolonitë dhe nga vendet e tjera nuk mjaftonin për t’i mbajtur ata dhe refugjatët e shumtë, që qenë mbledhur në Mal të Zi.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe kërkesat e saj tërhoqën vëmendjen e diplomacisë britanike. Përfaqësues të kryengritësve siç ishte Mark Kakarriqi iu drejtuan asaj në mënyrë të posaçme. Duke përfituar nga memorandumi, që kryengritësit shqiptarë ua drejtuan Fuqive të Mëdha, E. Grej, ministri i Jashtëm britanik, qysh më 26 qershor kërkoi të ndërhyhej kolektivisht pranë Portës në përkrahje të shqiptarëve, për të kënaqur kërkesat e tyre për gjuhën, shkollën, ndërtimin e rrugëve dhe për amnistinë e përgjithshme.
Por ky propozim nuk gjeti përkrahje te Shtetet e tjera të Mëdha. Gjermania e kundërshtoi një hap të tillë, duke deklaruar se kjo do të merrej nga Stambolli si ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë. Vjena iu përmbajt po atij qëndrimi të mëparshëm, të mosndërhyrjes. Franca gjithashtu nuk u tregua e gatshme të bashkohej me nismën e Anglisë, kurse qeveria ruse shprehu dyshimin nëse shqiptarët do të kënaqeshin me lëshimet e propozuara nga Grej, kur dihej se ata kërkonin autonominë.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët, duke parë interesimin e Forein Ofisit, në një memorandum të veçantë që i drejtuan qeverisë angleze, posaçërisht E. Grejit, më 12 korrik kërkuan edhe një herë autonominë e Shqipërisë. Në memorandum thuhej: “... na po bajmë fli për arsye të nalta politike dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar tash pesë shekuj, e lypim vetëm autonomi të gjanë...”.
Në memorandum bëhej fjalë gjithashtu për terrorin që ushtria osmane po ushtronte në fshatrat e Malësisë, ku plaçkiste, digjte e rrënonte çdo gjë. Ndërsa shqiptarët i lironin ushtarët osmanë që zinin rob, thuhej në këtë dokument, turqit hakmerreshin edhe mbi popullsinë e paarmatosur, mbi pleqtë, mbi gratë e fëmijët. Në të flitej edhe për rastet kur njerëzit digjeshin të gjallë nga ushtarët.
Jehona e Memorandumit të Greçës. Zgjerimi i lëvizjes në jug (korrik-gusht 1911)
Kur u duk se edhe nisma e qeverisë angleze nuk gjeti përkrahjen e fuqive të tjera, shqiptarët filluan të punonin për ta shtrirë kryengritjen në të gjithë vendin, për ta kthyer atë në një kryengritje të përgjithshme.
Ndërkohë, për ta detyruar Portën e Lartë të pranonte Memorandumin e Greçës si një program që shprehte aspiratat mbarëshqiptare dhe jo vetëm të një krahine a vilajeti, atdhetarët më të vendosur u përpoqën të organizonin qëndresën e armatosur edhe në Shqipërinë e Jugut.
Kjo ishte e domosdoshme të bëhej edhe për shkak se Porta e Lartë vijonte ta trajtonte Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe Memorandumin e Greçës si një lëvizje lokale me kërkesa që i takonin vetëm një krahine, asaj të Mbishkodrës.
Në këto rrethana atdhetarët më radikalë të Shqipërisë së Jugut, duke përfituar nga kryengritja e malësorëve, bënë përpjekje për të tërhequr në lëvizje edhe elementët e moderuar.
Memorandumi i Greçës i dha fund qëndrimit pritës që kishin mbajtur deri atëherë disa komitete në krahinat e tjera të vendit. Anëtarët e Komitetit të Korfuzit menduan të arrinin paraprakisht një marrëveshje me qeverinë greke për të siguruar edhe ndihmën e saj. Për këtë, tre anëtarë të këtij komiteti shkuan në Athinë, ku u takuan me Venizellosin. Qeveria greke u rekomandoi të merreshin vesh me “Shoqërinë kombëtare”, e cila u bëri të ditur se u vinte në dispozicion shqiptarëve, për nevojat e kryengritjes, ishullin e Korfuzit dhe se do t’u jepte ndihma në të holla e të tjera, por me kusht që kryengritja të zhvillohej në veri të lumit Shkumbin.
Për shkak të këtij qëndrimi të qeverisë greke, një pjesë e anëtarëve të Komitetit të Korfuzit, duke mos i ndier shpatullat të sigurta, u tërhoq. Kështu u pengua organizimi i kryengritjes në jug në një kohë mjaft të favorshme për të. Shtrirja e kryengritjes në jug të vendit do të lehtësonte atëherë edhe gjendjen e kryengritësve të Malësisë së Mbishkodrës.
Përpjekjet për organizimin e kryengritjes në jug të vendit u drejtuan nga komitetet “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”. Në krye të çetave që vepronin në jug ishin Namik Delvina, Muharrem Rushiti, Musa Demi, Spiro Bellkameni, Qamil Panariti, etj. “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mendonte se mjeti më i mirë për ta detyruar Turqinë të njihte Memorandumin e Greçës ishin veprimet sulmuese të armatosura, të cilat filluan të kryheshin nga çetat. Kryengritësit zhvillonin njëkohësisht një agjitacion të dendur për autonominë e Shqipërisë midis masave fshatare. Lidhje të fshehta u vendosën me repartet shqiptare të redifëve që ndodheshin në qytete të ndryshme të vendit.
Më 17 korrik komitetet e jugut kishin vendosur që çetat e armatosura të sulmonin Vlorën. Por ky plan dështoi, sepse në çastin vendimtar, kur çetat i qenë afruar qytetit, oficerët turq zbuluan planin e veprimit të ushtarëve redifë që ishin lidhur me to. Megjithatë lëvizja e çetave në jug po zgjerohej. Përleshjet e tyre me ushtrinë osmane u bënë më të shpeshta. Në korrik çeta e Çamërisë u ndesh me ta në Smartë, në një luftim që zgjati 6 orë. Në Gjirokastër kryengritësit i bënë atentat prefektit të vendit.
Më 21 korrik u mbajt në Manastirin e Cepos, në Malin e Gjerë, Kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë së Çamërisë e të Labërisë dhe të të gjitha kazave të vilajetit të Janinës, ku morën pjesë rreth 800 veta, midis të cilëve edhe përfaqësues të çetave të armatosura të Shqipërisë së Jugut. Këtu u diskutua për qëndrimin që do të mbahej kundrejt regjimit xhonturk në kushtet e shpërthimit të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës dhe për përkrahjen e saj nga popullsia e Shqipërisë së Jugut. Kuvendi miratoi një memorandum, i cili, duke pasur 43 nënshkrime të pjesëmarrësve, iu dërgua qeverisë xhonturke. Memorandumi u nënshkrua nga përfaqësues të popullsisë së Gjirokastrës, të Delvinës, të Kurveleshit, të Himarës, të Filatit etj. Në memorandum përkrahej Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe programi i saj i autonomisë së Shqipërisë. Kërkohej që qeveria osmane të zbatonte një administrim të njëllojtë si në veri, dhe në jug, duke e parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar një e të pandarë. Reformat që do të zbatoheshin në Malësinë e Mbishkodrës të shtriheshin njëlloj në të katër vilajetet shqiptare, të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës.
Me këtë kërkesë atdhetarët mendonin të shmangnin rrezikun që vinte nga trajtimi i Kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës si një ngjarje lokale dhe t’i tregonin Stambollit se e gjithë Shqipëria ishte bashkuar me kërkesat e saj. Prandaj kryengritësit e Shqipërisë së Jugut kërkuan që, gjithë ato të drejta që do t’u jepeshin malësorëve, ku përfshihej edhe autonomia politiko-administrative e parashtruar në Greçë, t’i jepeshin edhe Shqipërisë së Jugut, pra gjithë Shqipërisë. Kërkohej gjithashtu amnisti e përgjithshme për pjesëmarrësit e kryengritjes, liria e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat fillore dhe zhvillimi në të gjithë vendin i reformave administrative. Mendohej se sendërtimi i të gjitha këtyre kërkesave do t’i hapte rrugën autonomisë së plotë të vendit.
Meqë xhonturqit synonin të merreshin vesh vetëm me malësorët dhe t’i ngushtonin kërkesat e tyre autonomiste, komiteti i fshehtë i Janinës udhëzoi të organizoheshin mitingje të armatosura në qytetet e Shqipërisë së Jugut, në të cilat të mbështeteshin kërkesat autonomiste të parashtruara nga kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës. U vendos që një miting i tillë të mbahej më 23 korrik, ditën e përvjetorit të Revolucionit xhonturk. Shumë nga pjesëtarët e çetave i quanin këto veprime si zanafillë për të kaluar në luftime të drejtpërdrejta kundër ushtrisë osmane. Mitingjet e armatosura do të mbështeteshin edhe nga ana e çetave, që u ishin afruar qyteteve. Por mitingu i parashikuar për në 23 korrik u pengua nga kundërshtarët e lëvizjes së armatosur. Kjo ngjarje, si edhe mungesa e iniciativës në gjirin e udhëheqësve të komitetit të fshehtë të Janinës, çorientuan kryengritësit e atdhetarët e Shqipërisë së Jugut dhe ngjallën, siç thuhet në dokumentet e kohës, frymën e mosbesimit ndaj tyre.
Në fundin e korrikut çetat e komanduara nga Qamil Panariti e nga Spiro Bellkameni, të përbëra prej 18 vetash, u mblodhën në arat në mes të Orman-Çifligut (afër Korçës) dhe të Setajt për të sulmuar depot e armëve në Korçë. Por xhonturqit dërguan kundër këtyre çetave 300 ushtarë e 100 xhandarë. Gjatë përleshjes që u bë në Orman-Çiflig, natën e 29-30 korrikut çetat luftuan për pesë orë rresht duke lënë 6 të vrarë. Nga forcat qeveritare mbetën të vrarë dy oficerë dhe 13 ushtarë. Pas ngjarjes në Orman-Çiflig xhonturqit ngritën në Korçë gjyqin ushtarak që filloi dënimet e atdhetarëve.
Në fundin e korrikut një çetë prej 100 vetash vepronte rreth Beratit e në rrethe të afërta, mblidhte nënshkrime për një memorandum me kërkesa politike, i cili do t’u dorëzohej përfaqësuesve të shteteve të huaja dhe autoriteteve osmane në Vlorë.
Komiteti Shqiptar i Vlorës dhe atdhetarë të tjerë organizuan më 31 korrik, tek Ura e Drashovicës, një mbledhje ku morën pjesë 3 000 veta, të cilët shprehën solidaritetin e tyre me kryengritësit e Shqipërisë së Veriut dhe kërkuan autonominë e Shqipërisë.
Shumica e pjesëmarrësve të mbledhjes tek Ura e Drashovicës, gjatë rrugës për në Qafë të Sinjës, ku do të takoheshin me çetat e rrethit të Beratit, ranë në përpjekje me trupat osmane afër Cakranit, ku u ndihmuan nga oficeri shqiptar i ushtrisë turke Ismail Haki Libohova. Për këtë veprim ai u nxor para gjykatës ushtarake të Janinës. Më 1 gusht u mbajt në Qafë të Sinjës (Berat) një mbledhje tjetër e përfaqësuesve të kryengritësve të rrethit të Beratit e të Vlorës, që përkrahën tërësisht Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe u zotuan të luftonin për zbatimin e 12 kërkesave të Memorandumit të Greçës, domethënë të autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë.
Megjithatë edhe këto veprime të atdhetarëve të Shqipërisë së Jugut, që përkrahën programin autonomist të Greçës, nuk arritën ta çonin vendin në një kryengritje të përgjithshme.
Ndërkohë përfundoi pa sukses edhe veprimtaria e komisionit të Jak Serreqit pranë kryengritësve të Shqipërisë së Veriut. Ai nuk arriti t’i bindte malësorët që të hiqnin dorë nga kërkesat për autonomi. Më 22 korrik, një ditë para nisjes për në Shkodër, përfaqësuesit e kryengritjes i dorëzuan një notë prelatit të lartë, me të cilën i kumtuan se nuk do t’i vazhdonin më tej bisedimet, sepse ato nuk po zhvilloheshin mbi bazën e Memorandumit të Greçës.
Malësorët kryengritës qëndruan të patundur në kërkesën e tyre për autonomi. Por gjendja e 15 000 shqiptarëve të grumbulluar në Mal të Zi po keqësohej vazhdimisht. Ajo u rëndua edhe më shumë për shkak të vendimit që mori Mali i Zi, më 15 korrik, për të mos u lejuar shqiptarëve të kalonin kufirin.
Ndërkohë edhe qeveria xhonturke filloi të manovronte. Meqë Shefqet Turgut pasha kishte fituar në mes të shqiptarëve një emër të keq për shkak të dy fushatave në Shqipëri, Porta e Lartë, me qëllim që të lehtësoheshin bisedimet me malësorët kryengritës, vendosi ta zëvendësonte atë me një komandant tjetër, me Abdullah Pashën.
3. MARRËVESHJET ME QEVERINË XHONTURKE
Bisedimet e Podgoricës
Në verën e vitit 1911, gjendja e kryengritësve po keqësohej. Atyre u mungonin armët e municionet, në kohën kur gjendeshin përballë një ushtrie të shumtë armike. Si luftëtarët, ashtu edhe familjet e tyre vuanin për bukë.
Gjendjen e malësorëve e rëndonte edhe më shumë qëndrimi i qeverisë malazeze, që u bë më armiqësor kur kryengritësit nuk pranuan të vinin luftën e tyre në shërbim të politikës së Cetinës. Meqë edhe Rusia nuk i lejoi Malit të Zi ta përdorte kryengritjen shqiptare, si pretekst, për të nisur luftën kundër Perandorisë Osmane, qeveria e Cetinës u mundua të nxirrte ndonjë përfitim nga vetë Turqia. Stambolli ishte i interesuar të merrej vesh sa më shpejt me Malin e Zi, për shkak të gjendjes që ishte krijuar në gjithë Shqipërinë. Mali i Zi shpresonte, siç theksohet në dokumentet diplomatike të kohës, të siguronte ndonjë “kompensim për shpenzimet e bëra për ushqimin e malësorëve gjatë kryengritjes, i cili do të kishte formën e një rishikimi të kufirit në dobi të Malit të Zi”. Në këto kushte, me ndërhyrjen e Rusisë cariste dhe të monarkisë Habsburge, u arrit më 28 korrik marrëveshja ndërmjet Turqisë e Malit të Zi për rregullimin e konfliktit kufitar dhe të çështjes së të arratisurve shqiptarë.
Në po këtë kohë Abdullah Pasha, komandanti i ri i trupave osmane, shpalli një amnisti të re, por vetëm për malësorët. Ai u njihte atyre disa privilegje, që nuk ishin të pranueshme për kryengritësit. Prandaj, siç dëshmon mikja e shqiptarëve E. Durham, shqiptarët nuk e pushuan qëndresën.
Me 30 korrik 1911 ambasadori turk në Cetinë, Sadredin Beu, shpalli në Podgoricë përgjigjen me kundërpropozimet e qeverisë turke ndaj kërkesave të kryengritësve. Ato ishin shumë larg autonomisë, që shqiptarët kërkuan në Memorandumin e Greçës dhe kufizoheshin vetëm me zonën e kryengritjes. Me këtë dokument qeveria xhonturke shpallte amnistinë e plotë për të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes pa i dorëzuar armët. Shërbimi ushtarak do të kryhej brenda vilajetit të Shkodrës dhe vetëm një vit në Stamboll. Si drejtorë dhe anëtarë të këshillave administrativë do të emëroheshin edhe bajraktarët. Xhelepi do të caktohej duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të popullsisë. Taksat do të mblidheshin kur shqiptarët të ishin në gjendje të paguanin. Armët do të mbaheshin me leje të posaçme. Do të ndërtoheshin në malësi, me mjetet shtetërore, dy shkolla fillore ku do të mësohej gjuha shqipe. Do të ndërtoheshin rrugë, ura etj.
Po më 31 korrik qeveria shpalli në Tepelenë edhe koncesionet për kryengritësit e Shqipërisë së Jugut: faljen e kryengritësve, hapjen e shkollave shqipe, ndërtimin e rrugëve, të urave etj.
Propozimet zyrtare turke nuk u pranuan nga shumica e kryengritësve në veri dhe në jug të vendit.
Kryengritësit e Shqipërisë së Veriut u shtrënguan, më në fund, të ulen e të bisedojnë me përfaqësuesit e qeverisë, megjithëse ajo nuk donte t’i përfillte kërkesat e shqiptarëve për autonomi. Malësorët ngulën këmbë në 12 kërkesat e Greçës, që përmbanin autonominë e Shqipërisë. Por qeveria malazeze ua kishte prerë furnizimin me bukë dhe po ushtronte presion mbi malësorët, që të pranonin propozimet xhonturke.
Në këto rrethana malësorët pranuan të bisedonin sipas propozimeve xhonturke, por ata përsëri, duke e parë kombin shqiptar si një të tërë, kërkuan që të drejtat, që do t’u jepeshin malësorëve, t’u njiheshin të gjithë shqiptarëve.
Meqë, me gjithë përpjekjet që u bënë, nuk u arrit që kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme, që të përfshinte gjithë Shqipërinë e Veriut dhe atë Jugut, autoritetet osmane arritën të merren vesh veç me malësorët dhe veç me shqiptarët në jug.
Më 2 gusht në përfaqësinë e Perandorisë Osmane në Podgoricë u nënshkrua, sipas propozimeve turke, marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke.
Pas 5 gushtit malësorët filluan të kthehen në grupe. Dedë Gjo Luli e disa të tjerë nuk pranuan të ktheheshin dhe vazhduan të ngulnin këmbë për njohjen e autonomisë. Dedë Gjo Luli nuk pranoi as shpërblimet dhe as postet, që i dhanë xhonturqit. Malësorët që nuk pranuan të ktheheshin, qeveria malazeze i internoi përtej Moraçës.
Nënshkrimi i marrëveshjes dhe njohja e disa kërkesave të pjesshme të malësorëve i shtyu edhe krahinat e tjera të Shqipërisë të kërkonin t’u jepeshin po ato të drejta që u ishin dhënë malësorëve të Shqipërisë së Veriut.
Marrëveshja me kryengritësit e Shqipërisë së Jugut
Në ditët e para të gushtit qeveria e Stambollit iu drejtua me një thirrje banorëve të Beratit, të Vlorës, të Tepelenës, të Fierit, të Gjirokastrës, të Delvinës etj., në të cilën shpallte faljen e kryengritësve që ktheheshin në shtëpitë e tyre pa armë, dhe premtonte hapjen e shkollave shqipe, përdorimin e alfabetit latin, përmirësimin e gjendjes ekonomike etj. Por edhe kjo thirrje nuk i bindi kryengritësit, që nuk pranuan të dorëzonin armët.
Edhe në këtë kohë kryengritësit e Shqipërisë së Jugut, ashtu siç bënë në kërkesat e parashtruara në Manastirin e Cepos, synonin të fitonin të paktën të njëjtat lëshime që iu bënë edhe malësorëve të Shqipërisë së Veriut. Kjo kërkesë për privilegje të njëjta për të gjithë shqiptarët, nënkuptonte njohjen e shqiptarëve si një komb i bashkuar. Një kërkesë e tillë përfshinte edhe çështjen, sa të mprehtë po aq dhe delikate, siç ishte përcaktimi i kufijve, i territoreve ku do të zbatoheshin dhe do të shtriheshin këto privilegje. Kjo do të ishte një nga mënyrat për të veçuar kombësinë shqiptare nga fqinjët, për t’u prerë rrugën pretendimeve shoviniste të shteteve ballkanike mbi trojet shqiptare. Kjo shihej nga shqiptarët e Jugut si një masë, e cila mund të largonte sado pak rrezikun e copëtimit të vendit.
Këtë kërkesë e përkrahën edhe shqiptarët e mërguar, shoqëritë dhe shtypi i tyre, që kërkuan nga qeveria xhonturke “t’u zbatojë të tanë shqiptarëvet venomet që iu dhanë malësorëvet”.
Por pas përfundimit të kryengritjes në Veri, Porta e Lartë hodhi trupa të shumta ushtarake në Shqipërinë e Jugut. Në këto rrethana edhe kryengritësve të Shqipërisë së Jugut nuk u mbeti rrugë tjetër veçse të pranonin marrëveshjen me qeverinë xhonturke. Më 18 gusht 1911 u mbajt në Tepelenë mbledhja e përfaqësuesve të parisë dhe e komandantëve të çetave të kësaj treve. Në mbledhje morën pjesë, si të dërguar të qeverisë, edhe Abdyl Ypi e Fejzi Alizoti, të cilët u përpoqën t’i bindnin kryengritësit “për rrezikun” që do t’i vinte vendit “nga kërkesat e tyre të pamenduara mirë”.
Shqiptarët në jug të vendit u detyruan të pranonin propozimet e qeverisë: amnisti e përgjithshme; mësimi i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore (me alfabetin latin); subvencionimi nga ana e shtetit i shkollave shqipe; caktimi i nëpunësve, që njohin gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në kohë paqeje në vend; caktimi i taksave të popullsisë, sipas mundësive të vendit; rindërtimi i disa urave; mbajtja e armëve me leje të posaçme; rihapja e Shkollës Normale të Elbasanit dhe caktimi i fondit për mbajtjen e saj.
Me mbledhjen e Tepelenës dhe me dorëzimin e shumicës së kryengritësve iu dha fund përkohësisht kryengritjes edhe në Shqipërinë e Jugut. Por edhe këtu, pati shumë kryengritës, që nuk e pranuan marrëveshjen me qeverinë.
Përfundime
Kryengritja shqiptare e vitit 1911 përfundoi me një marrëveshje gjysmake për shkak se nuk arriti të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme. Ajo nuk arriti ta detyronte qeverinë xhonturke të pranonte kërkesat autonomiste të Memorandumit të Greçës. Megjithatë u arrit të vendosen kontakte midis kryengritësve të Shqipërisë së Veriut e asaj të Jugut si dhe me kolonitë. Atdhetarë të njohur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Ismail Qemali, Pandeli Cale, Salih Hoxha etj., u gjendën ato ditë në Mal të Zi, pranë malësorëve. Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji e Ismail Qemali shkuan gjithashtu në kolonitë për të siguruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Fadil Toptani e Themistokli Gërmenji vajtën edhe në Korfuz për të punuar që andej për zgjerimin e kryengritjes në jug të vendit.
Por, në kohën kur kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera ngurruan të ngriheshin. Kosova, e cila nuk kishte kapërcyer pasojat rrënuese të ekspeditës së Shefqet Turgut pashës të vitit 1910, e pati të vështirë të hidhej në kryengritje, kurse Mirdita, nën ndikimin e Preng Bib Dodës dhe e çoroditur nga aksioni i Terenc Toçit, mbajti përgjithësisht qëndrim pritës. Komitetet e Jugut, të shqetësuar nga qëndrimi armiqësor i qeverisë greke, ngurruan të fillonin kryengritjen qysh në periudhën e parë, në maj - fillimi i qershorit, kur situata ishte më e volitshme për shpërthimin e saj. Lëvizja kryengritëse në Shqipërinë e Jugut shpërtheu nisi në korrik-gusht të vitit 1911, kur kryengritja e malësorëve të Shqipërisë së Veriut kishte filluar të binte e të dobësohej.
Kryengritja u zhvillua në kushte të vështira brenda vendit dhe në rrethana jo të favorshme ndërkombëtare. Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat për ta penguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e malësorëve ndeshi edhe në kundërshtimin e shteteve evropiane, sidomos të Rusisë e të Austro-Hungarisë, të cilat nuk donin turbullira në Ballkan. Në mënyrë të veçantë, u aktivizua monarkia Habsburge, e cila pengoi shtrirjen e kryengritjes në të gjithë vendin dhe u përpoq ta mbante lëvizjen shqiptare brenda kuadrit të kërkesave kulturore. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Italia.
Megjithëse Kryengritja e vitit 1911 nuk arriti të sendërtojë objektivat themelorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ajo zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ajo shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjen politike të shqiptarëve.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, si nga ana organizative, ashtu edhe nga ajo ideore, shënoi një hap të madh përpara në krahasim me kryengritjen e vitit 1910. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre të vetme, të Komitetit të Podgoricës. Kulmin e saj kryengritja e arriti në qershor, kur duke miratuar (më 23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, si program të mbarë lëvizjes kombëtare. Megjithatë, udhëheqja e saj, pavarësisht nga përpjekjet që bëri, nuk mundi të tërhiqte në kryengritjen e Shqipërisë së Veriut, krahinat e tjera të vendit dhe ta kthente atë në një kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e vitit 1911 i detyroi pushtuesit osmanë të hynin në bisedime me shqiptarët dhe t’u bënin atyre disa lëshime. Megjithëse këto lëshime ishin larg kërkesave kombëtare të shqiptarëve, përbënin ndërkaq një mbështetje për kërkesa më të përparuara në të ardhmen. Kryengritja nxori në pah çështjen shqiptare si një problem ndërkombëtar. Për këtë dëshmon, krahas të tjerave, edhe interesimi i diplomacisë angleze për kryengritjen dhe sidomos përkrahja prej Londrës e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.
Kryengritja e vitit 1911 mund të mbahet si prologu i Kryengritjes së Përgjithshme shqiptare të vitit 1912.
Qeveria xhonturke edhe pas kësaj kryengritjeje vijoi politikën e saj shtypëse në Shqipëri. Ajo nuk u dha shqiptarëve as koncesionet që u bëri gjatë marrëveshjeve me kryengritësit. Sapo kryengritësit u kthyen në shtëpitë e tyre dhe u qetësua disi gjendja, ajo rifilloi politikën e mëparshme. Megjithëse kërkesat për t’u dhënë të drejta të njëllojta si të malësorëve edhe krahinave të tjera të vendit, u parashtruan në çdo anë të Shqipërisë, autoritetet zyrtare në qendër e në provinca u përpoqën ta ngushtonin hapësirën e zbatimit të marrëveshjes me kryengritësit shqiptarë. Në fillim qeveria ia njohu këto koncesione vetëm sanxhakut të Shkodrës, pastaj vetëm zonës së kryengritjes dhe, së fundi, malësorëve të riatdhesuar nga Mali i Zi, por jo gjithë Shqipërisë.
Ndërsa për shqiptarët marrëveshjet me xhonturqit qenë vetëm një armëpushim i përkohshëm i nevojshëm për të mbledhur forcat e për t’i dhënë goditjen përfundimtare sundimit osman në Shqipëri.